Skënderbeun vazhdon ta mbajë “gjallë” vetëm matematika në Abissnet Superiore. Edhe në ndeshjen e fundit, korçarët dolën të mundur nga stadiumi “Loro Boriçi” në ndeshjen ndaj Vllaznisë.

Megjithatë, ajo që ra në sy gjatë kësaj ndeshjeje ishin padyshim edhe provokimet e tepërta të kapitenit të Skënderbeut, Vangjel Zguro ndaj tifozëve të Vllaznisë.

Pas ndeshjes në konferencën për shtyp, trajneri i Skënderbeut Skënder Gega, i pyetur nga “Shkodra Sport”, nëse Zguro mund të zëvëndësohej, ashtu siç ndodhi në ndeshjen ndaj Laçit për shkak të tensionit të krijuar, komentoi këtë situatë, teksa u shpreh se ndien keqardhje për një episod të tillë, ndërsa theksoi se ata njerëz që kanë sharë në stadium, nuk përfaqësojnë Shkodrën.

“Unë e rrespektoj edhe shqetësimin tënd. Unë jam trajner i Skënderbeut, nuk jam trajner i Vllaznisë. Një lojtar doli me të kuqe. Unë nuk e di kush ishte ai i pari që ka bërë provokimin.

Ndiej keqardhje, sepse edhe ata që kanë sharë, nuk besoj se përfaqësojnë Shkodrën, duhet të kuptohemi, por edhe Zguro nuk është i përkryer. Megjithatë, unë nuk mund të nxjerr nga loja një lojtar titullar, sepse ndoshta janë keqkuptuar ose nxituar.

Megjithatë, kjo është një gjë për ta parë me qetësi. Nuk duhet të rëndojmë asnjërën palë. Ndeshja mbaroi, fitoi Vllaznia. Zguro besoj se në qoftë se ka bërë gabim, do jetë më i qetë dhe do mësojë.

Nuk mund ta nxirrja nga loja, sepse kishte pretendime nga tifozët. Unë jam trajner i Skënderbeut sot për sot, nuk jam i Vllaznisë. Unë shikoj interesat e mia”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Skënderbeut, Skënder Gega.
Maringlen ZHIVANI