Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç foli në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Tiranës në Shkodër. Tekniku i kuqebluve theksoi se në Loro Boriçi të gjithë e kanë të vështirë për të dalë me maksimumin e pikëve ndërsa shtoi se sfidën ndaj Tiranës e presin me shumë entuziazëm.

“Jo vetëm ekipi e pret këtë ndeshje me dëshirë, por edhe spektatorët. I kemi karikuar bateritë tona dhe kemi fuqi të plota për përballjen e nesërme.

Tani kemi tifozët që do të na mbështesin, shpresoj që tifozët të na japin zemër dhe të na ndihmojnë që t’i shkaktojmë humbjen Tiranës nesër.

Për sa i përket ekipit, jemi shumë të motivuar, jemi shumë gati për përballjen e nesërme dhe e presim me shumë dëshirë këtë ndeshje.

E dimë që jemi një ekip konkurrues, tema e ditës është ndeshja e nesërme dhe kjo është gjëja që ka më shumë rëndësi për momentin.

Duhet të kuptojmë që secili ka mënyrën e tij të punuarit. Tirana ka arsye për të qenë e qetë duke pasur parasysh diferencën e pikëve në renditje, të gjithë ata që vijnë në Shkodër e dinë që është shumë e vështirë dhe ne jemi shumë të uritur për sfidën me Tiranën”.

Shorti i Kupës- “Për mua nuk kishte shumë rëndësi se me kë do të luanim në Kupë sepse aty janë katër ekipe që janë të forta dhe që kanë arritur deri në këtë fazë.

Që të shkonim në finale duhej të përballeshim me një nga skuadrat e mëdha dhe një ndër to është dhe Partizani me të cilin do të luajmë dy ndeshje”.

Çoba- “Çoba është një nga lojtarët tonë të ri që ka dhe eksperiencë. Te ai më pëlqen shumë sjellja e tij, është shumë i disiplinuar dhe i motivuar dhe them të drejtën do të doja sërish të isha dhe unë në vendin e tij.

Unë i uroj shumë fat, jo vetëm për ndeshjen e nesërme, por edhe për të ardhmen që shpresoj që të jetë sa më e ndritur”, u shpreh Brdaric.