Çiklistët e Vllaznisë i kanë dhënë fund ditën e sotme përgatitjeve për Kupën “Agim Tafili” që do të startojë ditën e nesërme. Forma sportive e çiklistëve shkodranë duket e mirë, pavarësisht një problemi shëndetësor që ka kaluar së fundmi Bruno Kola dhe që shpresohet që të mos i përsëritet sërish edhe në këto gara.

Pikërisht, vetë Bruno Kola në një intervistë për “Shkodra Sport” u shpreh optimist se gjithçka do të shkojë mirë, ndërsa theksoi se do të futen në Kupën “Agim Tafili” vetëm për të fituar. Po ashtu, çiklisti i Vllaznisë shtoi edhe faktin se ekipi kuqeblu ka pasur një rënie në vitet e fundit si pasojë e largimit të shumë çiklistëve.

“Shpresojmë që edhe nesër, ne çiklistët të jemi aty ku Vllaznia ka qenë shumë kohë. Shpresojmë që çdo gjë të shkojë mirë. Jemi përgatitur rregullisht dhe kemi bërë afrime të reja nga Italia. Kemi shpresë që mund t’ia dalim edhe nesër për të vazhduar për të mbajtur atë kohën e Agim Tafilit.

Normalisht, ne kur hyjmë në garë, hyjmë gjithmonë për të fituar. Nuk e kemi asnjëherë në mendje për të zënë vend të dytë. Ne hyjmë gjithmonë për të zënë vende të para dhe të garojmë sa më mirë të mundemi si ekip.

Vllaznia në çiklizëm ka pasur një rënie, pasi na kanë ikur shumë sportistë, por shpresojmë të rikthehemi aty ku duhet. Jemi duke u munduar të ringrihemi edhe njëherë, sepse është pak e vështirë. Megjithatë, jemi duke bërë të pamundurën të ringrihemi edhe njëherë në këmbë si më përpara”,-mbylli prononcimin e tij, çiklisti Bruno Kola.
Maringlen ZHIVANI