Fillimi i muajit prill ka risjellë sërish në vëmendje një aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar që zhvillohet në Rovereto të Italisë dhe ku prej vitesh marrin pjesë në të edhe sportistë të shumtë nga Shqipëria.

Kështu do të ndodhë edhe këtë herë, teksa për të 12-tin vit rradhazi, ekipet e “Atletik Klub Shkodra” do të marrin pjesë në edicionin e 34-të të këtij turneu ndërkombëtar, ku bashkë me to sivjet do të marrin pjesë edhe ekipe të shumta nga Italia, Gjermania, Çekia, Hollanda, Austria, Serbia, Kuvajti, Singapori, por edhe shumë të tjera.

Sivjet, “Atletik Klub Shkodra” do të marrë pjesë me plot pesë ekipe, duke filluar nga ai i grupmoshës U-9 dhe për të vazhduar me ato të grupmoshave U-11, U-13, U-15 dhe njëkohësisht, edhe me ekipin e femrave të rritura, teksa ato janë nisur drejt Italisë disa ditë më parë.

Drejtori sportiv i kësaj akademie, Elis Legata, ka bërë të ditur se bashkë me futbollistët dhe vajzat e ekipit të Atletik Klub, pjesë e delegacionit do të jetë edhe një staf prej 15-vetësh, të cilët bashkë edhe me vajzat e tjera, do të kujdesen për fëmijët në çdo moment. Legata u shpreh se numri i skuadrave të tyre çdo vit e më tepër po vjen në rritje, ndërsa theksoi se interesi për të marrë pjesë në turneun e Roveretos në Itali është mjaft i madh dhe i lartë.

“Eshtë viti i 12-të që ne marrim pjesë në këtë turne. Normalisht, çdo vit, numri i skuadrës tonë po vjen e shtohet, sepse interesi për të qenë pjesë në aktivitetin e Roverettos është i shumtë. Edhe në numër jemi më të shumtë këtë vit. Ne marrim pjesë me shumë grupmosha të ndryshme, U-9, U-11, U-13 dhe U-15, si edhe me ekipin e vajzave të rritura.

Të them të drejtën, është një aktivitet shumë cilësor. Normalisht, ju mund ta ndiqni edhe në rrjetet sociale, duke parë rëndësinë e aktivitetit, sepse ka pjesëmarrje të madhe prej skuadrave të shteteve të ndryshme. Eshtë një eksperiencë e re për çdo fëmijë që merr pjesë në këtë aktivitet, sepse i vlen në jetën sociale, shikon diçka më shumë se si organizohen aktivitetet e tjera, si edhe të përballemi me rivalë kundërshtarë, duke parë edhe nivelin tonë real ku ndodhemi me Akademinë.

Të them të drejtën, shpesh herë kemi ardhur me trofe në Shkodër, sepse duhet ta kuptojmë që ne jemi një ndër akademitë më të mira të këtij qyteti, ku marrim trofe shpesh herë edhe këtu. Pothuajse, për çdo vit kemi trofe dhe duke ditur që me moshat e vogla punojmë jashtëzakonisht mirë, pse jo mos ta arrijmë edhe këtë vit, pasi mundësitë i kemi, ku duhet ta theksojmë se nëse shkojmë me një skuadër në finale, është arritje shumë e madhe dhe adrenalinë shumë e madhe për fëmijët, që të marrin pjesë në ceremoninë finale në stadium.

Normalisht që, për ne ka qenë e vështirë të marrim grupmoshën U-9, por kemi insistuar shumë tek familjarët që të na i sjellin fëmijët, sepse t’i marrim fëmijët 9-vjeçë dhe të udhëtojnë për Itali me autobus, është pak e vështirë. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, besojmë që tek U-9 dhe U-11 do të bëjmë diçka të mirë këtë vit.

Të them të drejtën, shpesh herë kemi shkuar me vajzat në Itali për t’u dhënë mundësinë edhe këtyre vajzave për të luajtur dhe për të shkuar në një aktivitet, por duhet të theksojmë edhe diçka tjetër. Këtë herë, përveç aktivitetit, kemi edhe disa guida turistike, ku do të vizitojmë qytetin e Venecias dhe duke parë grupmoshat e vogla, kemi menduar që të jemi një delegacion i madh dhe vajzat na ndihmojnë të përkujdesen për fëmijët. Duhet ta dimë që jemi 15-vetë si staf, ku kujdesemi për këta fëmijë të vegjël dhe vajzat janë një pjesë kryesore për këta fëmijë që do shkojnë në aktivitet”-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, drejtori sportiv i Atletik Klub, Elis Legata.
Maringlen ZHIVANI