Vllaznia e 21-vjeçarëve, që do të drejtohet tashmë në vazhdim nga trajneri Elvis Plori, ka nisur në fushën sportive “Reshit Rusi” përgatitjet për sezonin e ri futbollistik.

Fillimisht, 21-vjeçarët kuqeblu do të kenë disa seanca seleksionuese, të cilat janë parashikuar të jenë përreth dy javë dhe më pas me fiksimin e emrave që do të marrin besimin e stafit teknik, do të fillojë puna zyrtare me ekipin e ri të Vllaznisë U-21.

Ndërkohë, trajneri i ekipit shkodran të 21-vjeçarëve, Elvis Plori, në një intervistë për “Shkodra Sport”, u shpreh i kënaqur me detyrën e re, ndërsa theksoi se objektivi i tij me këtë skuadër, është që futbollistët të jenë sa më të përgatitur dhe sa më të kompletuar, në momentin kur të bëjnë hapin për të shkuar tek skuadra e parë. Për më tepër, lexoni intervistën e tij për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.

Profesor Plori, nisni sot një detyrë të re në krye të ekipit të 21-vjeçarëve, besoj i kënaqur apo jo?

Normalisht që po. Jam shumë i kënaqur, sepse shpresojmë që edhe strategjia e klubit të jenë të rinjtë. Duke filluar që nga sot, mendoj se gjithë objektivat e këtyre futbollistëve që po stërviten, janë skuadra e parë, por gjithmonë duhet të shkohet tek skuadra e parë të përgatitur dhe sa më të kompletuar, në mënyrë të atillë që t’i mbushin mendjen edhe stafit dhe trajnerit Josa, por edhe futbollistët të jenë sa më tepër cilësorë, në momentet kur të shkojnë tek skuadra e parë.

Gjatë kësaj periudhe, do të keni edhe detyrën si promovues i talenteve të Akademisë Vllaznia, si do të jetë për ju një rol i tillë?

Po, është një projekt, ku faktikisht ne e kemi ndërtuar që vjet. Eshtë diskutuar nga bordi drejtues, ku te projekti përfshihet edhe mënyra si do të menaxhohen futbollistët, të cilët shpalosin vlera si te U-17 dhe te U-19. Pra, futbollistët më të përzgjedhur te këto mosha, do të jenë futbollistë që do të kontribuojnë edhe për U-21. Pra, do të jetë një grup, i cili mund të ndërtohet shumë mirë dhe ky grup të njihet sa më tepër njëri me tjetrin, në mënyrë të atillë që kur të bashkohen me bashkë me futbollistët e ekipit të parë, mos t’i duken ato si të huaj, por t’i duken si shokë, të cilët stërviten shpesh herë me ta dhe të njihen sa më tepër njëri me tjetrin.


Profesor Plori, është folur se bashkëpunimi me ekipin e parë, këtë sezon do jetë më i mirë, cila do të jetë e ardhmja e sportistëve tuaj cilësor, pasi keni një brez shumë të talentuar apo jo? Ndoshta ndonjë prej tyre pritet të kalojë tek skuadra e parë?

Normalisht, duke ditur që skuadra e parë që është në Austri, ka 7-sportistë, të cilët kanë aktualisht moshë për të luajtur me 21-vjeçarët. Pra, është një skuadër që tashmë i ka hedhur sytë edhe nga ekipet zinxhir. Mendoj se do të ketë një bashkëpunim më të frytshëm, por edhe mënyra se si Vllaznia kërkon për të pasur sportistë sa më tepër në vazhdimësi, them se do të jetë një bashkëpunim shumë më i mirë.
Maringlen ZHIVANI