Që prej ditës së premte Kombëtarja shqiptare U-15 është grumbulluar në Durrës, duke u përgatitur për ndeshjet e turneut “UEFA Development U-15”, që do të luhen në Shqipëri nga data 2 nëntor deri më 7 nëntor.

Trajneri Armand Dama po punon intensivisht me grupin, në mënyrë që përfaqësuesja kuqezi ta paraqitet sa më mirë në këtë kompeticion ku përballë do të kenë bashkëmoshatarët e Sllovakisë, Ishujve Faroe dhe San Marinos.

Atmosfera është pozitive dhe këtë e konfirmojnë lojtarët e grumbulluar që përmes mikrofonit të Fshf.org japin përshtypjet e tyre për pjesëmarrjen në këtë turne dhe për objektivat kuqezi.

Mesfushori shkodran, Amer Kthupi, është i lumtur për ftesën e marrë, ndërsa shpreh bindje se ekipi do të bëjë një paraqirtje të mirë në UEFA Development U-15, një aktivitet zhvillimor që ka si qëllim dhënien e mundësisë për të rinjtë që të përfitojnë sa më shumë eksperiencë.

“Luaj në rolin e mesfushorit me Vllazninë. Kam marrë pjesë disa herë në seleksionimet e Kombëtares U-15, është një ndjesi shumë e bukur sa herë marr thirrjen për të qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave kuqezi. Për çdo lojtar mendoj se është gjëja më e bukur të përfaqësojë ekipin kombëtar dhe jam shumë i kënaqur që mora ftesën për të qenë pjesë e këtij turneu.

Me shumë prej lojtarëve që janë këtu unë kam luajtur edhe në të kaluarën dhe mendoj se kemi një grup shumë cilësor dhe shpresoj shumë që të arrijmë të fitojmë të treja ndeshjet e kompeticionit dhe të bëjmë një paraqitje shumë të mirë. Përtej rezultatit sidoqoftë është tejet e rëndësishme që ne të fitojmë sa më shumë eksperiencë, pasi ky është qëllimi kryesor i këtyre turneve, që t’u jap mundësi lojtarëve të moshës tonë që të rritemi gradualisht. Me shumë punë unë uroj që të shkojë sa më lart në karrierë dhe të prek majën, që është grumbullimi me Kombëtaren A në të ardhmen”, – thotë Amer Kthupi në prononcimin e tij.