Ekipi kombëtar U-16 ka nisur që prej pasdites të së shtunës grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të turneut europian ‘UEFA Development’ që zhvillohet në vendin tonë në datat 2, 4 dhe 7 maj. Shqipëria e Ervin Bulkut po stërvitet intensivisht, teksa përballë do të ketë tre përfaqësuese me mjaft cilësi si Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Moldavia.

Pjese e kombetares eshte edhe mbrojtesi i Akademise Vllaznia Erigestino Pepnikaj i cili ka besim se Shqipëria mund të triumfojë në këto tre sfida, ndërsa nënvizojnë faktin se Kombëtarja ka nevojë edhe të konsolidojë grupin.

“Është një nder të luaj me ekipin kombëtar, të përfaqësoj kombin tim dhe të luajmë çdo ndeshje ashtu siç luajnë ekipet tona. Atmosfera është e mirë sepse grumbullime janë bërë edhe më përpara, nuk është hera e parë që shihemi bashkë. Njihemi edhe me lojtarët shqiptare, edhe me futbollistët që vijnë nga jashtë” – thotë Pepnikaj, i cili thotë se veçse të fitojnë turneun, është shumë i rëndësishëm edhe konsolidimi i grupit kuqezi.

Objektivi ynë? – “Të fitojmë, por edhe të konsolidojmë grupin sepse na duhet çdo ndeshje. Ky turne është edhe si test për ne për ndeshjet e Europianit në muajin nëntor dhe duhet të japim maksimumin për të fituar. Synimi im është të luaj me Kombëtaren A dhe të luaj me ekipe në Europë”– thotë Pepnikaj për fshf.org.

Ndeshja e parë e kuqezinjve në këtë turne është ajo përballë Moldavisë që do të luhet ditën e nesërme në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në ora 17:00. Ndërsa po nesër, në ora 11:00, do të zhvillohet edhe ndeshja e parë e këtij turneu mes Ishujve Faroe – Azerbajxhan.

Sakaq, sfidat e dyta të turneut zhvillohet më 4 maj, me Moldavinë që do të përballet me Ishujt Faroe në ora 11:00, ndërsa Shqipëri – Azerbajxhan është programuar të zhvillohet në orën 17:00. Ndeshjet e fundit të turneut do të luhen më 7 maj. Azerbajxhani do të luajë kundër Moldavisë në ora 11:00, ndërsa kuqezinjtë do të luajnë ndaj Ishujve Faroe në ora 19:00.