Pasditën e djeshme në Shkodër është zhvilluar një aktivitet mjaft interesant në sportin e atletikës. Kështu, bëhet fjalë pikërisht për Kupën e Nderimit të Figurave dhe sivjet, kjo Kupë është organizuar në nderim të dy figurave të shquara të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare, Gëzim Mema dhe Vildan Tufi.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Shoqata e Atletikës Vllaznia, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe të FSHA, kanë marrë pjesë atletet më të mirë të vendit, por edhe të ftuar nga Kosova.

Në një prononcim për “Shkodra Sport” në lidhje me organizimin e kësaj Kupe ka folur edhe anëtari i kryesisë së FSHA, Oltion Luli. Ky i fundit u shpreh se është i lumtur që në Shkodër po vazhdohet tradita e mirë e nderimit të figurave, ndërsa theksoi se Gëzim Mema dhe Vildan Tufi ndër vite kanë dhënë një kontribut të vyer për atletikën shkodrane, por edhe më gjërë.

“Normalisht që, jam i lumtur që në Shkodër vazhdon një traditë për organizimin e aktiviteteve të atletikës, në koordinim edhe me Federatën. Jam i lumtur edhe më tepër që ky aktivitet zhvillohet për nder të dy figurave të shquara të atletikës jo vetëm shkodrane, por edhe asaj shqiptare, dy personalitete si Gëzim Mema dhe Vildan Tufi, të cilët prej shumë vitesh kanë dhënë një kontribut të vyer, duke bërë që sporti i atletikës të vijojë një traditë të mirë, një traditë prej shumë e shumë brezash në Shkodër.

Në fakt, kuptohet që me të dy këto figura, si me profesor Gëzimin, ashtu edhe me profesor Vilin ka qenë një marrëdhënie më përtej se sportist-trajner, ka qenë një marrëdhënie familjare dhe shoqërore. Një marrëdhënie, e cila në një mënyrë a në një tjetër ka lënë shumë shije dhe gjurmë pozitive në mendjen dhe zemrën e secilit prej sportistëve, të cilët kanë qenë bashkëkohës.

Unë do të thoja edhe diçka tjetër që ky aktivitet në Shkodër zhvillohet në kuadër të një kalendari shumë të ngjeshur që FSHA ka, por kuptohet që zhvillohet në një stadium si “Loro Boriçi”, i cili është i vetmi që përmbush kriteret për të qenë pra stadiumi olimpik dhe besoj që aktivitete të tilla janë në nder jo vetëm të Federatës dhe Bashkisë, port ë mbarë komunitetit atlet në Shqipëri dhe më gjërë”,-tha gjatë prononcimit të tij, anëtari i kryesisë së FSHA, Oltion Luli.

Për më shumë, intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme, e cila gjendet në kanalin zyrtar të gazetës “Shkodra Sport” në Youtube. /Maringlen ZHIVANI/