Në sportin e basketbollit në Shkodër ka me dhjetëra emra të shquar, të cilët kanë kontribuar për Vllazninë dhe për këtë qytet. Ka patur edhe prej atyre që kanë dhënë një kontribut të madh edhe si sportist, por edhe si trajner.

Një nga këta emra të shquar është Petrit Osmani, ish-basketbollist dhe ish-trajner i Vllaznisë në basketboll. Trajneri i shekullit të Vllaznisë është rikthyer pas 10 vitesh në Shkodër teksa jeton tashmë në Amerikë dhe duke folur pas ndeshjes së basketbollit Vllaznia-Tirana, në një intervistë për mediat, shpreh emocionet e tij për këtë rikthim.

Në fakt, prej vitesh, Petrit Osmani jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në Shkodër ka lënë emrin dhe veprat e tij, me të cilat padyshim që krenohemi.

“Të them të drejtën, pata emocione, sidomos kur hyra këtu dhe pashë gjithë ato tifoza, që na kanë mbështetur për disa vjet. Njëkohësisht, edhe shokët e punës, shokët e basketbollit, personelin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” dhe të mos lë ndokënd tjetër pa përmendur. Aq më tepër, kur filloi loja, kur u zhvilluan aksionet etj. Kështu që, pa emocione nuk kam dalë sot. E kam marrë atë dozën e emocioneve që duhet të merret.

Po, me të thënë të drejtën, kam kujtime të mira nga ky pallat sportit prej të gjithëve. Prej spektatorëve, ato që kanë punuar me mua gjithë kohën dhe njëkohësisht edhe prej lojtarëve që kam kaluar, që kanë qenë nëpër duart e mia. Jam shumë i kënaqur.

Sokol Dibra e ka filluar atëherë kur kam qenë unë trajner në vitet 2000, me sa kujtoj. Mirëpo, më bëhet qejfi që e ka marrë prapë. Gëzohem shumë që ka njerëz që mundohen ta ndihmojnë basketbollin, sepse ju e dini vetë se nuk janë kushte të mrekullueshme financiare tani dhe kur afrohen duke mos pasur asnjë përfitim prej kësaj pune, ajo është shumë gjë e mirë dhe duhen falënderuar.

Me thënë të drejtën, unë i ndjeku gjithë kohës aktivitetet e Shkodrës, veçanërisht basketbollin, por edhe futbollin dhe gjithë sportet tjera, i ndjek në Amerikë. Mua më është bërë qejfi shumë, kur kam dëgjuar që kanë dalë kampion në vitet e mëparshme dhe kanë marrë edhe kupa. Jam gëzuar shumë, sepse është një traditë që duhet të vazhdohet. Tradita duhet të vazhdohet, duke dalë kampion, siç bëri edhe Bledar Gjeçaj.

E mira është që kjo gjë të vazhdohet edhe më tej. Sot (dje) e pashë ndeshjen e Vllaznisë ndaj Tiranës. M’u bë qejfi që fituan, sepse kanë bërë dy humbje, që nuk ishin dashur të bëhen normalisht, për të qenë në klasifikim edhe më mirë për play-offin, por prapë se prapë, m’u bë qejfi sepse i pashë lojtarët të motivuar. Lojtarët u mobilizuan shumë, luajtën me shpirt, pastaj se si luajtën nuk shihet shumë sot, për arsye se ai që e ka drejtuar sot ekipin e Vllaznisë, Bekteshi është një trajner i ri dhe shihej sa mirë, e kishte organizuar ekipin për ta fituar këtë ndeshje.

Ishte një ndeshje e fortë, sepse Tirana është në vend të dytë. Trajneri Bekteshi e ka kryer shumë mirë detyrën dhe tregoi shumë aftësi, sepse ishte energjik, ishte i shkathët, ndiqte aksionet dhe jetonte komplet me lojën tënde.

Unë falënderoj shumë ata që më kanë vlerësuar, sepse me thënë të drejtën, është një jetë e tërë, që në ’59 deri në 2012, kam qenë pa u shkëputur prej basketbollit, pra 53 vjet. T’i bësh analizë gjakut tim, del Vllaznia. Kështu që, është gjë e madhe dhe gjë e mirë për mua. Faleminderit prej të gjithë atyre që më kanë vlerësuar. Më kanë vlerësuar të gjithë. Më kanë vlerësuar tifozët, por edhe shtypi, ju gazetarët dhe domethënë, ju falënderoj shumë, sepse domethënë jeni munduar për të më dhënë vlerat që më takojnë.

Urimi im është që Shkodra në të gjitha sportet, veçanërisht basketbollin, kam qejf të jetë gjithmonë në maje. Kjo gjë edhe për hatër të këtyre tifozave të mrekullueshëm që ka. Menjëherë sa shohin që diçka po lëviz për basketbollin, ata e mbushin pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe nuk ka më gëzim se sa sportdashësit dhe tifozët për të vlerësuar dhe entuziasmuar”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i shekullit të Vllaznisë, Petrit Osmani.
Maringlen ZHIVANI