Pas barazimit në Kupë me Partizanin, Vllaznia do të kërkojë të marrë fitore në kampionat me Kastriotin. Kjo ndeshje do të luhet ditën e sotme në orën 17:45 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe kuqeblutë duken shumë të vendosur për t’u rikthyer te fitorja.

Për ndeshjen ndaj Kastriotit, Vllaznia pritet të mos ketë të gatshëm dy futbollistët e saj. Pikërisht, kapitenin Erdenis Gurishta, i dëmtuar dhe mesfushorin Elvedin Heriç, për kartonë.

Ky i fundit u ndëshkua me të kuqe në ndeshjen e kaluar ndaj Egnatias dhe si rrjedhojë sot nuk do jetë as në pankinë, ndërkohë që kapiteni ndonëse ka përmirësim të dukshëm të dëmtimit të tij, sërish ende nuk është i gatshëm plotësisht dhe për këtë arsye, është vendosur që të mos rrezikohet.

Megjithatë, këto mungesa nuk duken shqetësim për stafin teknik, sepse në dispozicion ka shumë lojtarë cilësorë, me të cilët do të kërkojnë fitoren, pasi asnjë rezultat tjetër nuk mund të pranohet, duke ditur se shkodranët vijnë nga disa oshilacione ndeshjet e fundit.
Maringlen ZHIVANI