Vllaznia në futboll për femrave thuajse i ka mbyllur përgatitjet e saj për ndeshjet e grupit 7 të “UEFA Women’s Champions League” të cilat do të zhvillohen në Shkodër këtë vit, pikërisht në datat 6 dhe 9 shtator, me pjesmarrjen edhe të ekipeve kampione të Kosovës, Islandës dhe Turqisë.

Në prag të këtyre ndeshjeve, ka dhënë një prononcim për mediat edhe presidenti Lazer Matija i cili ndër të tjera se objektivi i Vllaznisë edhe këtë sezon është kalimi në turin tjetër të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian.

“Patjetër që fokusi jonë është i përqëndruar te ekipi dhe jemi të angazhuar për formimin e ekipit, tashmë cdo gjë është e përfunduar. Janë bërë afrime cilësore dhe janë ruajtur lojtaret e ekipit të vjetshëm që arriti në grupet e Champions League. Besoj se kjo është merkatoja më e mirë që ka bërë ekipi jonë, duke mos lejuar asnjë largim, edhe pse kishim oferta serioze nga klube të ndryshme. Duhet theksuar se ekipet që kemi përballë janë ekipe të nivelit të lartë. Ekipi është gati dhe është formatuar për të kaluar në turin tjetër”- është shprehur Matija.

Numri 1 i futbollit të femrave të Vllaznisë dhe njëkohsësisht njeriu me më shumë trofe në futbollin shqiptar, dëshiron të ndalet edhe tek zhvillimi i këtyre ndeshjeve në Shkodër, çka është një sukses më vete sepse është reklamë e mirë për vendin tonë.

“Mendoj që atmosfera është mjaft pozitive. Jemi përfshirë në shumë plane, sic është formimi i ekipit, por më e rëndësishmja është që jemi vendi pritës i grupit të shtatë. Jemi të angazhuar shumë te organizimi i këtyre ndeshjeve. është hera e parë që në Shqipëri zhvillohet një aktivitet i nivelit të tillë.

Ne kemi pasur dëshirë që ta bëjmë të mundur edhe më përpara, pasi është viti i 10-të që marrim pjesë në këtë aktivitet, por duke qënë se ndeshjet kryesisht janë luajtur në muajin gusht dhe dihet që në Shqipëri muaji gusht është mjaft i ngarkuar, kështu që ne shfrytëzuam këtë vit, ku ndeshjet luheshin në shtator, për të zhvilluar këtë aktivitet me përmasa të mëdha.

Mendoj se është pozitive si për ekipin, ashtu edhe për qytetin. Duhet të gjej rastin dhe të falenderoj të gjithë ato përsona që po kontribuojnë në organizimin e këtij aktiviteti, duhet falenderuar Bashkia Shkodër që ka bërë të mundur kushtet e infrastrukturës për stërvitje, për zhvillimin e ndeshjeve në stadium dhe në fushën “Reshit Rusi”.

Gjithashtu duhet falenderuar stafi i klubit të Vllaznisë së djemve me në krye presidentin Alban Xhaferi, të cilët ishin të gatshëm të kontribuonin për të ndihmuar në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti”- është shprehur Lazer Matija./SHKODRA-SPORT.COM/