20 vjet më parë ka dalë kampion në atë stadium duke përfaqësuar denjësisht fanellën e Vllaznisë. 20 vjet më vonë u rikthye po në “Loro Boriçi” por këtë herë si trajner duke drejtuar ekipin e qytetit të tij të lindjes, Burrelin.

Saimir Patushi është parë të jetë tejet nostalgjik pasditen e së premtes. Takimet me pjestarë të stafit të Vllaznisë, por edhe me tifozë të shumtë të kësaj skuadre, e kanë bërë atë të ndihet mirë sepse e kuptoi se ka lënë gjurmë tek kjo skuadër.

Njeriu që tashmë do të drejtojë Burrelin, ka folur pas miqësores së humbur në shifrat 1-2 ndaj Vllaznisë duke thënë: “Ishte një miqësore luksi për ekipin tonë sepse luanim përballë kampiones në fuqi të vendit. Unë e konsideroj kështu Vllazninë sepse i është hequr kampionati për punë golaverazhi.

Kjo ishte përballja ime e parë në krye të Burrelit me një ekip të Superligës si Vllaznia dhe besoj se ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe mendoj se kemi bërë një paraqitje dinjitoze.

E përsëris që më vjen mirë për debutimin tim të parë si trajner me një ekip të Superligës siç është Vllaznia. Me këtë skuadër kam dalë për herë të parë kampion në jetën time dhe shpresoj që ky stadium të më urojë edhe për një sukses si trajner tashmë”./SHKODRA-SPORT.COM/