Vllaznia U-20 në volejboll për femra është shpallur kampione e Shqipërisë për sezonin 2021-2022. Ekipi i drejtuar nga trajneri Ferdinand Bardeli dhe kolegu i tij Dorian Tafa ka mundur në finalen e tretë Dinamon 3-2, teksa e meritoi fitimin e titullit kampion.

Për suksesin në fjalë, ka folur edhe trajneri Ferdinand Bardeli, i cili vlerëson brezin e ri që ka në dispozion, një garanci ky edhe për ekipin e parë. Fitimi i këtij titulli tregon se në të ardhmen ekipi i të rriturave të femrave të volejbollit shkodran, shumë shpejt do të jetë në elitën e volejbollit shqiptar.

Bardeli u shpreh se Dinamo ishte një shumë i fortë, ç’ka e bëri edhe më të vështirë ndeshjen. Ai theksoi poashtu se duhet falënderuar edhe presidenti Florian Zekja për ndihmën e dhënë gjatë kësaj periudhe.

“Dinamo ishte ekip shumë i fortë, i përgatitur mirë. E vlerësuam ndeshjen qysh ndeshjen e dytë, që atje humbëm 3-2 dhe fitoi më i miri. Kishim emocion, jo frikë.

Janë fëmijë, duhet ta pranojmë këtë dhe ka oshilacionet e veta, ngritje-zbritje dhe nuk janë në atë nivelin që themi ne, profesional 100%.

E ardhmja e tyre, e kam thënë edhe disa herë, kjo është e ardhmja e Shqipërisë, e volejbollit shqiptar, e Kombëtares së Shqipërisë. Jemi një shkollë për volejbollin shqiptar.

Atëherë, me ardhjen e profesor Besnik Lishës, ne kemi shumë pozitivitete. Kemi prurje të reja. Do mendojmë për kampionatin e të rriturave, të rejave, para të reja dhe U-16.

Për fitoren e sotme, merita është e gjithë ekipit, 14-vajzave. Faleminderit edhe presidentit Florian Zekja, që na dha një ndihmë të madhe. Një sponsorizim mjaft i mirë për ekipin tonë U-20, U-18 në vazhdim edhe më të rriturat”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë U-20 në volejboll për femra, Ferdinand Bardeli.
Maringlen ZHIVANI