Vllaznia e volejbollit të meshkujve e ka nisur me fitore serinë e ndeshjeve të vlefshme për Kupën e Shqipërisë së këtij sezoni. Mesditën e sotme ajo ka pritur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Skënderbeut, ndaj të cilit ka triumfuar me rezultatin e pastër 3-0.

Pavarësisht rezultatit duhet thënë se nuk ka qenë një fitore e lehtë. Korçarët e kanë nisur më mirë setin e parë, kanë udhëhequr deri në 20-17, por më pas Vllaznia barazon 20-20. Skënderbeu e kthe sërish në favorin e tij rezultatin në 24-23, por në fund janë shkodranët që triumfojnë me rezultatin 26-24.

Në të dytën ndërkohë është skuadra vendase që dominon dhe arrin ta fitojë atë pa ndonjë vështirësi të madhe në shifrat 25-19. Në të tretin e fillon mirë Vllaznia duke krijuar përshtypjen një fitoreje të lehtë, por në fund gabojnë në disa momente duke i dhënë mundësinë Skënderbeut edhe të barazonte 21-21.

Por në fund janë sërish kuqeblutë e trajnerit Kalaja që tregohen më të saktë dhe si rrjedhojë e fitojnë 25-23 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-0. Vllaznia e ka nisur në këtë mënyrë ashtu si duhet edhe kompeticionin e Kupës së Shqipërisë duke e fituar ndeshjen e parë.

Kupa e Shqipërisë sivjet zhvillohet me një skemë të re ku ekipet pjesmarrëse janë ndarë në dy grupe dhe luhet me sistem vajtje- ardhje. Vllaznia është në grupin A sëbashku me Erzenin, Elbasanin dhe Skënderbeun dhe sigurisht që objektivi i saj është kalimi në finale./SHKODRA-SPORT.COM/