Vllaznia e volejbollit të femrave duket se po vazhdon hap pas hapi drejt synimeve të mëdha dhe pretendimeve ambicioze për një ekip pretendent. Një gjë e tillë u shfaq edhe në fushën e lojës në sfidën e fundit të vlefshme për Ligën “Gjergj Kastrioti” ndaj Dritës së Gjilanit, ku vajzat kuqeblu fituan me rezultatin 3-1.

Megjithatë, trajneri i Dritës, Lorik Ilazi nuk është i bindur ende për Vllazninë dhe mendon se ajo nuk mund të jetë pretendente për momentin. Ilazi u shpreh se humbja ndaj Vllaznisë e vështirëson disi punën dhe objektivat e Dritës, por thekson se në ndeshjen tjetër ndaj vajzave kuqeblu duhet me patjetër të fitojnë që të shkojnë në gjysëmfinale.

“Ne në grup kemi Vllazninë dhe Fer Vollej. Ne duhet patjetër që t’i mundim të dyja që të shkojmë në gjysëmfinale ose të jemi të dytët në tabelë. Humbja ndaj Vllaznisë na e vështirëson punën pak. Megjithatë, ne do të mobilizohemi.

Ne si rivalë i shohim të gjitha ekipet shqiptare, por edhe ato kosovare. Unë dua të përmend në veçanti si favorite Skënderbeun dhe Partizanin, në këto momente që ato janë, por edhe Drita dhe Skënderaj në pozitat momentale që jemi.

Megjithatë, pjesa e dytë e kampionatit nuk do të thotë se nuk do t’i ndryshojë gjërat. Këtu tek Vllaznia duket se kanë filluar të krijojnë grupin e duhur dhe unë mendoj që në të ardhmen, këto goca mund të ngriten dhe të bëhen rivale të denja ndaj çdo ekipi, ashtu si ndaj nesh që nuk na i falën gabimet.

Këtu do të ketë shumë ndryshime dhe pjesa e dytë mund të ketë ndryshime edhe të favoritëve. Ekipet momentale që i shoh favorite janë këto të katërta, pra Skënderbeu, Partizani, Drita dhe Skënderaj, por nuk përjashtohet asnjë, sepse janë skuadra të kompletuara dhe mund të ndodhë çdo gjë. Pjesa e dytë do ta rrisë rivalitetin dhe do ta rrisë më shumë nivelin”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Dritës në volejboll për femra, Lorik Ilazi.
Maringlen ZHIVANI