Për gazetarin e njohur sportiv, Ervin Baku, arritja historike e Vllaznisë së femrave është fryt i një pune disa-vjeçare. Menjëherë pas kualifikimit në grupet e Champions League të ekipit shkodran, në një intervistë për “Shkodra Sport”, Baku tha se kjo gjë nuk ka ardhur rastësisht, teksa shton se kjo arritje historike është model për të gjithë futbollin shqiptar.

Baku u shpreh se ukrainaset ishin një ekip shumë i fortë, ndërsa theksoi se goli i Gresa Berishës ishte i jashtëzakonshëm. Kujtojmë se, gazetari i njohur sportiv, Ervin Baku ishte në moderimin e kësaj ndeshjeje si spiker i stadiumit, teksa në bisedën me të, dukeshin qartë emocionet që ai përjetoi në këtë ndeshje, që solli një arritje historike për Vllazninë dhe Shkodrën, por jo vetëm.

“Unë pata fatin dhe privilegjin e madh ta moderoj këtë ndeshje. Pra, stafi i Vllaznisë dhe presidenti Lazër Matija më besoi moderimin dhe zakonisht, jam i mbarë. E përjetova me shumë emocione, sepse është fryt i një pune disa-vjeçare. Kjo gjë nuk ka ardhur rastësisht dhe sot ky ekip, është model jo vetëm për femrat në Shqipëri, por për gjithë futbollin shqiptar.

E ardhmja e Vllaznisë në grupe? Dëgjo, varet nga shorti, sepse ka edhe fat në këtë pjesë, por sot mos harroni që ishte një ekip shumë shumë i fortë ky. Ishte shumë shumë i fortë.

Goli i dytë i Berishës, nuk e di si e bëri ajo. Domethënë, një gol i jashtëzakonshëm. E nxorri nga shpirti, por siç e thashë edhe në fillim, është fryt i një pune disa-vjeçare”-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, gazetari i njohur sportiv, Ervin Baku.
Maringlen ZHIVANI