Dushan Vlahoviç duket se do të jetë goditja e merkatos së PSG-së, që po kërkon një sulmues për ta bashkuar në repartin e avancuar me Nejmar e Mbape, gjithmonë nëse këta të dy do të vazhdojnë të qëndrojnë nën urdhrat e Luis Enrikes.

Por tifozët parisienë, nuk tërhiqen shumë nga ideja për të pasur sulmuesin e Juventusit në radhët e tyre. Për më tepër, një grup mbështetësish kanë dalë hapur kundër idesë së merkatos së klubit, duke kërcënuar futbollistin me një parullë që kanë shpalosur jashtë stadiumit “Parc des Princes”.

“Nëse vjen në Paris, do të të këpusim tre gishtat”, shkruhet në parullën që mbahet nga mbështetësit e PSG-së.

Sipas mediave italiane që kanë publikuar foton, arsyeja është se pas një fitoreje të përfaqësueses së Serbisë, ku ai kishte shënuar, sulmuesi kishte mbajtur veshur një fanellë ku përfshihej Kosova në hartën e Serbisë. Ai më pas kishte festuar me shenjën e tre gishtave, që u kthye në simbolin e gjenocidit serb në Kosovë në vitet ’90.