Kategoria Superiore ka nisur në këtë edicion me një ekuilibër të pazakontë dhe me problemet e kryesuesve, të cilët kanë lënë pikë rrugës që në start. Një situatë që po të krahasohet me atë të vitit të mëparshëm, sheh se me përjashtim të Vllaznisë dhe Partizanit, ekipet e tjera kanë bërë më keq në rrugëtimin e tyre në katër javët e para.

Shkodranët regjistrojnë dyfishin e pikëve, duke kaluar nga 5 pikët e edicionit të kaluar në 10 në këtë aktual, ku janë të pamposhtur dhe tregojnë një lojë e entuziazëm që u mungonte prej vitesh. Ndërsa Partizani ka vetëm një pikë më shumë në krahasim me edicionin e kaluar, kur pas 4 ndeshjesh kishin regjistruar dy fitore e 2 barazime nën drejtimin e italianit Lerda.

Skuadra që ka humbur më shumë terren ka qenë Tirana, e cila regjistron 6 pikë më pak në këtë edicion, duke zbritur në 4 nga 10 që kishte shënuar një vit më parë në startin e sezonit nën drejtimin e Ardian Memës.

Më pas vjen Bylisi me 4 pikë më pak, duke pasur vetëm 3 në krahasim me 7 që regjistronte në edicionin e kaluar. Kukësi ka tre pikë më pak, duke kaluar nga 7 në 4 aktualisht, ndërsa Teuta e Skënderbeu kanë nga 2 pikë më pak në renditje në krahasim me një vit më parë.

Durrsakët kishin 8 pikë por tani regjistrojnë 6, ndërsa korçarët kishin 6 pikë e tani kanë 4. Laçi ka humbur vetëm 1 pikë në krahasim me një vit më parë, por kaq mjaftoi që kurbinasit të largonin Armando Cungun nga drejtimi i tyre.

Diferencën duket se e kanë bërë pikët e siguruara nga skuadrat të cilat ranë në vitin e kaluar dhe ata që janë ngjitur në këtë edicion. Një vit më parë, pas katër javësh, Luftëtari regjistronte 3 pikë dhe Flamurtari 0. Ndërsa aktualisht, Kastrioti ka 8 pikë, ndërsa Apolonia 2 të tilla. /vipsport/