Vllaznia ka analizuar ndeshjen e fundit me Teutën dhe konkluzioni i dalë prej saj ka qenë se ecuria e rezultateve pozitive duhet të vazhdojë sepse asgjë nuk është arritur me dy fitoret e fundit.

Siç ka bërë të ditur vetë klubi shkodran, në këtë analizë në të përveç futbollistëve dhe stafit teknik ka marrë pjesë edhe administratori i klubit, Astrit Gjyrezi.

Ky i fundit ka vlerësuar skuadrën për fitoren e arritur ndaj Teutës por nga ana tjetër, ka theksuar se ajo ka ende për t’u përmirësuar në lojën e saj.

Administratori Gjyrezi u ka kërkuar futbollistëve të mos e ulin ritmin e punës, të vlerësohet maksimalisht çdo ndeshje e rradhës sepse kampionati po bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe rezultatet pozitive duhet të vazhdojnë pasi asgjë nuk është arritur.

Kanë diskutuar edhe disa nga titullarët e skuadrës të cilët edhe vetë e kanë pranuar se Vllaznia nuk ka bërë ndeshjen e saj më të mirë por në këto momente e rëndësishme marrja e pikëve e cila ka ngrohur të gjithë.

Ndërkohë trajneri Ernest Gjoka ka vlerësuar fitoren por ka vazhduar të jetë kërkues ndaj futbollistëve sepse ata i pret një sfidë edhe më e vështirë këtë javë ndaj Luftëtarit.

Konkluzioni i analizës ka qenë se Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të marrë pikë edhe në Gjirokastër dhe me këtë objektiv do të shkojnë atje.
www.shkodrasport.com