Pas deklaratës për shtyp të mbrëmjes së djeshme, klubi i Futbollit Vllaznia ditën e sotme ka ndërmarrë një hap tjetër, atë të depozitimit të ankesës zyrtare për arbitrin Enea Jorgji në Federatën Shqiptare të Futbollit. Bashkë me të, nga sa mësohet, janë depozituar edhe pamjet filmike të të gjitha rasteve ku ky arbitër në ndeshjen e djeshme ka dhënë vendime kundër skuadrës shkodrane. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se në ankesën e dërguar në institucionin e futbollit shqiptar, drejtuesit kuqeblu i janë mbajtur asaj çfarë kishin deklaruar një ditë më parë: shpalljen “non grata” të Jorgjit dhe njëkohësisht ndëshkimit të tij. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se në ditët në vazhdim do të dërgohet një ankesë e tillë edhe në FIFA dhe UEFA, bashkë me pamjet filmike edhe të ndeshjeve të mëparshme kur ky arbitër me stemë ndërkombëtare, ka ndëshkuar kuqeblutë. Shkodranët janë të mendimit se Jorgji ka diçka personale me ta dhe nuk kemi të bëjmë me një direktivë të Federatës për t’i ndëshkuar. Kësaj logjike i shkon shumë për shtat edhe deklarata e bërë nga mbrojtësi Bicaj pas ndeshjes së djeshme kur para ndeshjes e humor i kishte kërkuar arbitrit të mos jepte sërish 11-metërsha të paqenë siç ka bërë më parë por në fakt Jorgji “nuk e dëgjoi” dhe mbrëmë “shpiku” një 11-metërsh fantazëm kur Ribaj nuk është prekur fare nga portieri Agoviç. Tashmë duhet pritur reagimi i Federatës në lidhje me pretendimet e Vllaznisë.