Sfida shumë e rëndësishme e kampionatit të volejbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe Partizanit, pritej të ishte shumë e fortë. Kjo ngaqë dy ekipet konsiderohen rivale të denja të njëra- tjetrës. Megjithatë ndeshja e mbrëmjes së sotme, e zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” nuk ka qenë aq rivalizuese. Partizani ka arritur të fitojë 3-1 dhe të ruajë kreun ndërkohë që kjo humbje për Vllazninë ka prishur jo pak punë. Seti i parë do fitohej nga miqtë 25-17 dhe më pas janë ata sërish që fitojnë 25-22 duke e çuar në dy numrin e seteve të fituara.

Madje, Partizani ka qenë shumë pranë fitimit edhe të të tretit teksa udhëhiqte 23-20 por këtu reagon Vllaznia që fiton 25-23. Duket se ndeshja rihapet por nuk do të ndodhë kështu. Miqtë e drejtuar nga Ylli Tomori fitojnë të katërtin 25-16 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen në shifrat 3-1 duke ruajtur pathyeshmërinë e tyre ndërsa shkodranët duhet të mendojnë për sfidat e ardhshme për të kapur vendin e dytë ose të tretë të renditjes para fazës së play off-it.
Vllaznia- Partizani 1-3

17-25, 22-25, 25-23, 16-25