Vllaznia në basketboll për meshkuj ka arritur të fitojë edhe ndeshjen e rradhës, atë ndaj Ardhmërisë me rezultatin 67-57. Takimi i luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” duhet pranuar se nuk pati atë epërsi që kishte një javë më parë ndaj Flamurtarit me të cilin u fitua me rezultat të thellë. Ka ndodhur kështu, ngaqë përballë një mbrojtje shumë të ngjeshur të ekipit kundërshtar të drejtuar nga trajneri shkodran Afrim Bilali, basketbollistët e Vllaznisë e kanë patur të vështirë të depërtojnë. Madje, trajneri Gjeçaj ka larguar nga fusha njërin pas tjetrit të tre amerikanët të cilët e kishin të vështirë të përshtateshin me lojën që po zhvillohej. Vendasit e kanë kontrolluar lojën nga fillimi e deri në fund megjithatë pa ndonjë epërsi të madhe. Javën e ardhshme, kuqeblutë do të kenë një ndeshje të vështirë në Kamëz ndaj skuadrës vendase dhe do ta mbyllin fazën e tretë të kampionatit duke pritur Teutën në Shkodër. Në rast se ato arrijnë t’i fitojnë të dyja këto ndeshje, do të arrijnë të kapin vendin e dytë, çka do të thotë arritje e objektivit të parë të tyre në këtë kampionat.

© shkodrasport.com