Përpjekjet e drejtuesve të Vllaznisë për të marrë një trajner të huaj më në fund janë konkretizuar. Pasi dështuan në marrjen e një malazezi, tashmë shkodranët kanë bërë realitet afrimin e një trajneri kroat. Bëhet fjalë për Jeronimo Sarin. 43 vjeçari që për gjashtë muaj së fundi ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën, nga e hëna do të nisë punë me ekipin shkodran. Ai, madje ka qenë i pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” mbrëmjen e djeshme dhe përkrah presidentit Sokol Dibra, kanë ndjekur ndeshjen e Vllaznisë ndaj Ardhmërisë. Pikërisht loja e zhvilluar në këtë takim, ku tre amerikanët thuajse nuk ranë fare në sy, është arsyeja kryesore e mbërritjes së këtij trajneri sepse këta lojtarë nuk po arrijnë të ambjentohen ashtu si duhet ende me basketbollin shqiptar dhe në takimin ndaj Ardhmërisë, ku kjo e fundit bëri një mbrojtje të ngjeshur, tre amerikanët dolën krejtësisht jashtë loje. Për këtë arsye, me ardhjen e Sarin, gjërat mund të ndryshojnë. Por nëse ka ardhur ai, kjo nuk do të thotë se trajneri i mëparshëm Bledar Gjeçaj, do të largohet. Përkundrazi, ai bashkë me ndihmësin e tij Fatjon Hallunaj, do të vazhdojnë të jenë pjesë e stafit, madje vetë Gjeçaj në një prononcim për mediat, e ka mirëpritur ardhjen e kroatit duke thënë: “Po, mund të konfirmoj se trajneri kroat do jetë pjesë e stafit tashmë dhe do të nisë punën me ekipin menjëherë. Kuptohet që ardhja e tij ka një rëndësi të madhe sepse ekipi duhet të rrisë punën e tij nëse kërkon të shpallet sërish kampion dhe besoj se do ia dalim”.

© shkodrasport.com