Kryelajmi në median e shkruar sot ka qenë ndërprerja e stërvitjes së ekipit të Vllaznisë ditën e djeshme për shkak të ndërhyrjes së një grupimi tifozësh të kësaj skuadre. Nuk kanë munguar as etiketimet e kësaj ndërhyrje si “protestë” apo “revoltë” por në fakt për drejtuesit e klubit nuk duhet konsideruar në asnjë mënyrë kështu. Ka qenë drejtori sportiv Eugent Zeka, ai i cili i pyetur në lidhje me ngjarjen e djeshme, ka thënë: “Afrimi i tifozëve me skuadrën dhe bashkëbisedimi i tyre në formën e dialogut, nuk duhet parë si diçka negative, por si pozitive. Ne jemi të kënaqur që tifozët janë ofruar, nuk kanë ardhur për të kërkuar llogari por për të mbështetur skuadrën, për të treguar se grupi i tyre është në mbështetje të saj në këtë moment të vështirë dhe për më tepër pas eliminimit në kupë. Kjo tregon se çdo gjë është duke shkuar drejt frymës pozitive për t’iu gjendur sa më afër skuadrës dhe për të arritur ata objektiva që ne kemi, për të dhënë më të mirën në kampionat”. Ndërkohë, drejtori Zeka ka folur shkurt edhe në lidhje me ndeshjen e nesërme ndaj Korabit për të cilën ka thënë: “Lojtarët e Vllaznisë dhe stafi që i drejton, janë profesionistë dhe si të tillë, janë të përgatitur për të kaluar çdo moment të vështirë siç na ndodhi edhe në ndeshjen e Kupës. Nga ana psikologjike, skuadra është e përgatitur më së miri për ta kaluar me sukses ndeshjen e rradhës me Korabin. Absolutisht që objektivi i vetëm në këtë ndeshje është marrja e tre pikëve. Njëlloj si në çdo tjetër, të japim maksimumin tonë dhe të tentojmë të marrim pikët maksimale”.
© shkodrasport.com