Vendimet e Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit në lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen Vllaznia- Tirana, janë konsideruar shumë të rënda nga drejtuesit e shoqatës së Vllaznisë. Për këtë arsye, sipas rregullores përkatëse, ata kanë vendosur t’i apelojnë këto vendime. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i kësaj shoqate Sokol Dibra, sipas të cilit, shpresohet shumë që në apel këto vendime të zbuten sepse realisht situata nuk ka qenë aq dramatike sa çfarë mund të jetë intepretuar.

Shoqata e Vllaznisë në këtë mënyrë do të kërkojë uljen e dënimit gjashtëmujor që është dhënë për trajnerin Bledar Gjeçaj dhe po ashtu edhe heqjen e dënimit për basketbollistin Gjon Ndoja sepse ai nuk ka qenë iniciuesi i atyre çfarë ndodhën në “Qazim Dervishi” sepse pamjet filmike e tregojnë qartë se njeriu që ka nisur sherrin ka qenë amerikani Xhonson. Por përveç kësaj, drejtuesit shkodranë do të kërkojnë edhe zbutjen e dënimeve financiare sepse ato kanë qenë shumë të rënda dhe janë të papërballueshme nga ana e klubit shkodran. Ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të mblidhet Komiteti Drejtues i Federatës Shqipare të Baskebollit për të marrë në shqyrtim apelimin e Vllaznisë sepse sipas rregullores, kjo e fundit ka 15 ditë në dispozicion për ta bërë atë. Me shumë mundësi, mbledhja e apelit do jetë javën e ardhshme por penalizimi për shkodranët në fakt nis këtë fundjavë sepse në ndeshjen e kupës të së dielës ndaj Tiranës, as trajneri Gjeçaj nuk do jetë në pankinë dhe as Ndoja në fushë. Gjithsesi, duhet pritur tashmë apeli për të parë nëse do të ketë zbutje të dënimeve të dhëna apo jo. Ajo që konfirmohet nga drejtuesit e shoqatës së basketbollit Vllaznia është se Bledar Gjeçaj do të vazhdojë të jetë trajneri i kësaj skuadre edhe nëse dënimi gjashtëmujor mbet në fuqi. Kjo mbyll të gjitha aludimet për një largim të mundshëm të tij nga pankina kuqeblu.

© shkodrasport.com