Ndeshja e javës së 22-të të Superligës shqiptare në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Apolonisë, do të luhet ditën e shtunë në orën 16.00. Kjo ndeshje do luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe do jetë shumë e rëndësishme për skuadrën shkodrane sepse në rast mosarritje të një fitoreje, do t’i komplikonte shumë pozitat e veta në renditje. Pikërisht për këtë arsye, stafi drejtues i kuqebluve me në krye trajnerin Grima po punon me shumë seriozitet për ta përgatitur ashtu siç duhet skuadrën për këtë ndeshje. Do rikthehet nga dëmtim mesfushori- sulmues Hajdari që kësisoj do jetë në formacion këtë ndeshje por ka ende dyshime për Gocajn dhe Sykajn që kanë disa shqetësime. Nga ana tjetër, i pamundur për të luajtur është mbrojtësi malazez Popoviç që do mungojë edhe në këtë ndeshje. Edhe për Apoloninë kjo ndeshje është e rëndësishme por Vllaznia sigurisht që duhet ta fitojë me çdo kusht këtë takim për të qenë disi më e qetë në javët e mbetura të kampionatit. Megjithatë duhet pranuar se ka edhe frikë brenda në rradhët e ekipit të Vllaznisë sepse situata mund të precipitojë dhe ndaj fierakëve mund të vazhdojë seria e rezultateve negative. Për të mos ndodhur kështu, po punohet me intensitet në mënyrë që edhe futbollistët të jenë të vetëdijshëm se duhet ta nxjerrin sa më shpejt skuadrën nga situata ku ndodhet.

www.shkodrasport.com