Ndeshja e sotme në mes Dinamos dhe Vllaznisë B, e fituar nga e para me rezultatin 2-0, nuk ka kaluar pa problem. Përveç atyre të organizimit, për të cilat mbase do të flasë në një moment tjetër, trajneri i ekipit shkodran Ervis Kraja ndalet veçmas tek arbitrimi i saj nga ana e Edvin Hoxhës dhe e ndihmësve të tij.

Duke folur për “Shkodra Sport” në lidhje me këtë çështje, ai ka deklaruar: “Nuk e kuptova pse arbitri Hoxha duhej të bëhej problematik me gjykimin e tij në këtë ndeshje.

Mesa duket na është bërë rutinë ndëshkimi prej tyre. Por kjo e sotmja mu duk e panevojshme megjithatë kuptimin e nxorra më pas. KKy arbitër kishte ardhë në këtë ndeshje me një mision të veçantë mesa duket.

Përveçse na pengonte në çdo aksion tonin, në pjesën e dytë nxorri në pah misionin e tij të vërtetë. Ndëshkimin e disa lojtarëve tanë me kartona në mënyrë që ata të mos luajnë javën e ardhshme kundër skuadrës së qytetit të tij, Besëlidhjes.

Ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin Borshi kur nuk e meritonte kurrsesi një ndëshkim të tillë. Por jo vetëm kaq. Mesa duket arbitri Hoxha kishte ardhë me letër në dorë duke ditur se kush kishte nga tre kartona të verdhë prej futbollistëve tanë dhe për rrjedhojë, i nxorri të katërtin mbrojtësit tjetër të qendrës- Isufit, çka do të thotë se edhe ai nuk luan në ndeshjen e arshshme.

Ndaj Besëlidhjes, falë këtij arbitri, Vllaznia B nuk do të ketë në dispozicion dy mbrojtësit e qendrës dhe kjo gjë nuk më duket e pakuptimtë por tregon më së miri misionin e këtij arbitri në këtë ndeshje dhe ai ia arriti”.
© shkodrasport.com