Pasditen e sotme në “Roza Haxhiu” të Lushnjës është planifikuar të luhet ndeshja e play out-it në mes Sopotit dhe Vllaznisë B, e cila do të përcaktojë edhe fatin nëse librazhdasit do të mbesin në kategori të parë apo do ja lëshojnë këtë vend ekipit të dytë të klubit shkodran. Por ky i fundit duket se ka ndër mend ta humbasë në tavolinë këtë ndeshje sepse mendon që FSHF ka bërë një gabim në datën e vendosur për zhvillimin e kësaj ndeshje por edhe për qytetin ku do të luhet ajo. Që nga dita e djeshme në media është bërë publik fakti që klubi shkodran i kishte bërë një kërkesë zyrtare institucionit të futbollit shqiptar për shtyrjen e kësaj ndeshje.

Arsyeja është shumë e thjeshtë: Vllaznia e ka të pamundur të zhvillojë tre ndeshje me ekipet e saj brenda 24 orëve. Kjo ngaqë përveç ekipit B, sot luan edhe U-19 ndërkohë që nesër luan ekipi i parë në Durrës. Por vetë orientimi i Federatës për krijimin e ekipeve të dyta ka qenë i tillë në mënyrë që ata të shërbejnë si “satelitë” të ekipeve të para. Por në fakt vetë Federata nuk po e respekton këtë gjë. Kuqeblutë e trajnerit Cungu do të udhëtojnë sot drejt Durrësit me shumë mungesa dhe me të ngjarë nuk do të plotësojnë as 18-shen që duhet për këtë ndeshje. Kjo ngaqë Tafili është me kartona, Marku e Kapalija janë të operuar, Mulemo, Vecaj, Bardulla, Erkoçeviç, Agoviç e Cicmil janë të pamundur dhe në këtë mënyrë, gjërat vështirësohen shumë. Pikërisht për këto arsye, burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se ekipi B nuk do të udhëtojë drejt Lushnjës duke e humbur në tavolinë këtë ndeshje. Orari i parashikuar për nisjen e ekipit ka qenë ora 10.00 por kjo nuk ka ndodhur dhe me shumë mundësi, ekipi nuk do të niset as në vazhdim sepse e ka të pamundur të plotësohet me lojtarët e duhur për të zhvilluar “finalen” e shumëpritur të këtij sezoni.

© shkodrasport.com