Faza e parë e kampionatit të kategorisë së parë është mbyllur tashmë dhe kuptohet që kjo periudhë është momenti më i mirë për të zhvilluar edhe një analizë së ecurisë së deritanishme për çdo skuadër.

Kështu do të ndodhë edhe tek Vllaznia e cila do ta bëjë një analizë të tillë dhe për më tepër që kjo javë do të jetë pushim për shkak të ndeshjeve të kombëtares shqiptare.

Adminstratori Lici dhe drejtori Firat pritet të ulen me stafin teknik dhe lojtarët për të analizuar atë çfarë ka ndodhur në nëntë ndeshjet e para të kampionatit.

Kuptohet që gjërat kanë shkuar mirë në përgjithësi me ndonjë përjashtim të vogël të ndeshjeve në Shënkoll dhe në Fushë- Krujë, ku ekipi nuk ka funksionuar si duhet.

Javët e mbetura deri në fund të këtij viti do të shërbejnë edhe si barometër për çdo futbollist sepse në fund të dhjetorit do të ketë një analizë tjetër ku do të vlerësohet kontributi i secilit dhe pse jo, në janar pastaj mund të ketë edhe ndërhyrje në merkato.

Nga ana tjetër, pritet që gara në vazhdim do të jetë shumë e fortë dhe drejtuesit e Vllaznisë janë të vetëdijshëm për këtë gjë. Duke filluar që nga ndeshja e rradhës me Korabin dhe deri në vazhdim, do të ketë shumë konkurrencë dhe tashmë janë zgjuar edhe ekipet kundërshtare të cilat tashmë mendojnë se Vllaznia nuk është më e pathyeshme.

Erzeni, Dinamo por edhe Besëlidhja do të tentojnë deri në fund t’i marrin vendin e parë ekipit shkodran dhe ndonëse e vështirë sërish do ta synojnë deri në fund.
© shkodrasport.com