Laçi dhe Partizani janë dy skuadrat që në këtë edicion po tregohen më pak agresive, duke iu referuar kartonëve që kanë marrë në këto 19 javë kampionat. Kryeqytetasit janë ekipi me më pak kartonë të verdhë, teksa kanë marrë vetëm 25 të tillë, ndërsa vetëm një ndeshje janë detyruar që ta mbyllin në inferioritet numerik, për shkak të një kartoni të kuq.

Për tu veçuar dhe Laçi i Mirel Josës, që është skuadra e dytë me më pak kartonë të verdhë, vetëm 31, por në anën tjetër kurbinasit janë ekipi që në këtë sezon nuk kanë marrë asnjë karton të kuq.

Lojtari me më shumë kartonë në radhët e ekipit të Laçit është Ardit Deliu, i cili është ndëshkuar në 5 ndeshje, e në renditjen e lojtarëve më të ndëshkuar në të gjitha skuadrat e Abissnet Superiores zë vendin e fundit, pas Ngoo dhe Taipit.

Kryesuesit e Tiranës kanë koleksionuar 38 kartonë të verdhë, ndërsa dy lojtarë kanë lënë fushën e lojës, pasi kanë parë kartonin e kuq. Në të njëjtën linjë me bardheblutë janë dhe të besuarit e Diego Longos, të cilët kanë marrë një karton të verdhë më pak, 37, dhe vetëm në tre sfida e kanë parë veten në inferiorit numerik.

Skuadra që është treguar më agresive në këto 19 javë kampionat është Vllaznia. Shkodranët janë ndëshkuar me 44 kartonë të verdhë këtë edicion, ndërsa 5 lojtarë të ekipit të Brdaric janë ndëshkuar me kartonë të kuq. Në radhët e kuqebluve është dhe lojtari më i ndëshkuar këtë edicion, kapiteni i skuadrës Erdenis Gurishta, i cili e ka parë kartonin e verdhë plot 10 herë.