Skuadra shkodrane do t’i lërë thuajse pushim të gjithë titullarët për ndeshjen e së shtunës ndaj Besës. Lajmi mësohet nga burime pranë saj që bëjnë të ditur se trajneri Artan Bushati ka ndër mend t’i lërë pushim të gjithë lojtarët me përvojë. Nëse pak javë më parë vendosi të mos u krijonte më hapësira aktivizimi Nallbanit, Deliçit dhe Begajt, këtë herë ai do të lërë pushim edhe Vujadinoviç, Gjokoviç, Smajlin, Beqirin, Belishën, Tafilin, Dragoi, Shtubinën, Hajdarin dhe Rexhën. Diçka e habitshme kjo për të luajtur me një formacion thuajse U-21 për të mos thënë më të vogël në moshë. Në portë do jetë Hallunaj, portieri i tretë i kuqebluve, për të vazhduar me Rusin, Markun, Balajn, Demën, Bardullën, Krujën, Borshin, Markolajn, Gurin dhe Shkjaun. Sigurisht që është gjë e mirë pse Vllaznia do t’u besojë futbollistëve të rinj në këtë ndeshje megjithatë kjo duket edhe e pakuptueshme në njëfarë mënyre. Kjo sepse kemi të bëjmë me një ndeshje kampionati dhe Vllaznia që ndodhet aktualisht në vendin e gjashtë në renditje, duhet të synojë ta mbajë atë, por pse jo edhe të ngjitet ndonjë shkallë. Përpos kësaj, Besës i duhet patjetër të marrë pikë në këtë ndeshje dhe  aktivizimi i lojtarëve të rinj nga skuadra shkodrane do t’ia bëjë më të lehtë asaj arritjen e këtij objektivi. Gjëra shumë të pakuptueshme që në fakt po ndodhin përditë e më tepër në këtë fund-kampionati.
www.shkodrasport.com