Kombëtarja jonë nuk ishte vetvetja ditën e djeshme dhe humbi minimalisht ndaj Lituanisë në Tiranë, duke humbur pikë të rëndësishme dhe shembur atë frymë të mirë që ishte krijuar në skuadër. Në lidhje me këtë sfidë foli edhe ish-kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana, që dha verdiktet e tij pas kësaj humbje të skuadrës së Rejas.

“Në fakt, ndeshjen e pashë, nuk munda ta ndjek ndeshjen e fundit me Bjellorusinë, por ndeshjen e sotme e pashë. E shikova me shumë vëmendje, duke ditur se do të kishte ndryshime. Duke parë se çfarë momenti po kalojmë, çfarë kompeticioni të ri jemi duke luajtur. Ishte një mundësi e mirë që të konfirmonim formën e mirë pas fitores ndaj Bjellorusisë.

Më vjen shumë keq, pas atij fillimi të mirë, ramë shumë. Nuk ndryshon shumë gjëra kjo humbje. Për mendimin tim, mbetet opsioni më i mirë për t’u kualifikuar (Nations League). Nuk e di nëse mund të prisnin shumë diferencë kundër Bjellorusisë, pasi ata kanë luajtur rregullisht futboll. Por futbollisti e ka me momente, me ditë, në Bjellorusisë bëmë shumë sakrificë dhe sot morëm “kolpo”.

Shqipëria ka disa futbollistë shumë të mirë, që na japin siguri për të ardhmen. Por kemi dhe momente kur duhet të reflektojmë dhe të dimë që kemi ende shumë vend për përmirësime. Patjetër që duhet të punohet me ekipin. Është ndërruar thuajse totalisht baza e ekipit kombëtar që nga koha kur isha unë.

Trajneri aktual mendon se është më mirë të luhet me tre qendërmbrojtës. Është një repart që më jep siguri për të ardhmen, pasi kemi shumë alternativa të mira. Sigurisht dhe Marashi (Kumbulla), që po bën shumë ndeshje të mira në Serie A. Nëse është një repart që më jep siguri, është mbrojtja”, u shpreh Cana. /vipsport/