Sulmuesi me pasaportë gjermane dhe kombësi ganeze, Kristofer Mandiangu, mbetet një çështje e hapur te Vllaznia. Me të kaluar Koronavirusin, atij do t’i duhet të bëjë një punë vërtet të madhe për të fituar besimin e drejtuesve.

Lojtari i ardhur me bujë është kthyer në një shqetësim për shkodranët, pasi më shumë ka qëndruar i dëmtuar, sesa në fushë me ekipin. Sulmuesi i krahut është një njohje e vjetër e trajnerit Tomas Brdariç dhe praktikisht një “bast” i tij.

E megjithatë, deri më tani nuk ka treguar vlerat e tij të vërteta në ato pak minuta që është aktivizuar në miqësoret e muajit të kaluar.

Lojtari nuk ka kapur ritmet e ekipit në proceset stërvitore dhe pengesë është bërë një dëmtim që ka në këmbë. Që pas testit me Teutën, ai nuk i është bashkuar më grupit.

Në klub ishin gati që të prishnin kontratën me të, por iu dha një shans dhe tashmë i mbetet 28- vjeçarit që ta shfrytëzojë. Mësohet se Mandiangu është më i paguari në ekip.