Nga Prof.Dr. Xhevdet Zekaj:

Ta nisësh nga zero, duke injoruar historinë, titujt dhe trofetë e fituar. Këtë rrugë ka zgjedhur Elbasani, që dergjet prej pak vitesh në kategoritë inferiore. Bashkia është kujtuar më së fundi se qyteti ka edhe futboll, ka edhe skuadër që e përfaqëson në kampionatet kombëtare.

Nën shembullin e Luftëtarit po “klonon” një Elbasan të ri, jo vijim e “AND” e skuadrës që fitoi dy tituj kampionë, që nxori sa e sa futbollistë të shquar nën emrin Labinoti, por të “rilindur”. Se sa përfaqësues do të jetë ky Elbasan për traditën dhe historinë e pasur verdheblu, merret lehtë me mend nga gjithkush. Zero! Zero!

Të sqarohem:

Mua, Arben Lazen, Skerdi Bejzaden, që ngriti zërin i pari për këto “pirueta”, që shmangin heronjtë e titullit të fundit kampion, edhe figura të tjera verdheblu na bashkon dashuria për sportin, për Elbasanin. Pra, miqësia e sinqertë.

Laze si president, që bëri mrekullinë me Ilir Dajën trajner, Bejzaden, Deden, Kotorrin, Çapjen, Dalipin e mjaft futbollistë të tjerë të njohur, nuk mund të anashkalohet nga askush për të qenë pjesë e rëndësishme e Elbasanit.

Këto ditë merret vesh se bashkia po krijon një skuadër të re, duke anashkaluar historinë. Mbi të gjitha, edhe dy titujt e kampionit. Të vjen keq për energjitë e harxhuara kot. Të tilla investime le të bëheshin në kohën e duhur nga pushteti vendor. Pastaj, kryeministri Rama ka ngulmuar në ndërprerjen e financave për klubet sportive, sepse bashkitë kanë pa fund kërkesa emergjente nga populli që përfaqësojnë.

Klubet e futbollit, sikurse e kërkon edhe licensimi përkatës i UEFA-s, duhet të jenë privatë. E shikoni si u detyrua Vllaznia të dilte në shitje, sepse nuk lejohet më ta mbajë bashkia. Në Elbasan dalin kundër rrjedhës…

Mëkati më i madh ndaj skuadrës verdheblu është pandershmëria e kontratës së bërë me anglezët.
Pjesë e saj ishte edhe bashkia, që i vuri shkelmin “Labinotit”. Tani kujtohet për ta “rilindur”. Por, sikurse thotë Bejzade, duke anashkaluar kampionët e vërtetë të Elbasanit, me në krye Arben Lazen. Historia nuk zhbëhet dot nga një kryebashkiak, as nga një këshill bashkiak, sepse dje Labinoti dhe sot Elbasani ia kanë bërë vendin vetes në elitën e futbollit shqiptar.

Natyrisht, situata e viteve të fundit dëshmon se skuadra u la në mëshirë të fatit, ndoshta me qëllim, që të nisë një rrugëtim të ri, me emër e logo ndryshe, nën “hyqmin” e bashkisë. Kjo metodë pune, se historia fillon me ne, nuk të çon askund.

Përkundrazi, vetëm sa e thellon hendekun e Elbasanit me vendin që i takon në futbollin shqiptar!
Elbasani, Flamurtari, Besa, Tomorri, Traktori, Apollonia etj, etj histori e shuar por do lindë!
Shembulli është Vllaznia se si dilet dhe kthehet Historis!