Vllaznia në futboll për femra ka humbur edhe ndeshjen e fundit në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Ekipi shkodran, i drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, është mposhtur me rezultatin 5-1 nga kampionet e Spanjës, Reali i Madridit.

Pas humbjes në pesë ndeshjet e para ndaj ekipeve të tjera që ishin në grup me Vllazninë, kësaj rradhe vajzat shkodrane arritën të merrnin kënaqësinë e shënimit të një supergoli nga ana e Megi Doçit. Shkodranet do të kalonin në avantazh që në minutën e gjashtë të pjesës së parë, teksa Doçi do të shënonte golin e parë me anë të ekzekutimit të një goditjeje dënimi.

Vllaznia do të mundohej për të ruajtur disi këto shifra, por pa rezultat, pasi Reali i Madridit shënon tre gola njëri pas tjetrit dhe pjesa e parë do të mbyllej me fitoren 3-1 të madrileneve. Në të dytën, trajneri Leka do të kryente menjëherë zëvendësimin e parë, ku do të largonte nga fusha e lojës Shalën dhe do të aktivizonte Bashkën.

Kur dukej se takimi pak nga pak po i drejtohej fundit, ekipi i Realit të Madridit do të shënonte edhe dy gola të tjerë në minutat e fundit. Fillimisht, në minutën e 78-të dhe më pas përsëri në minutën e 85-të, do të shënoheshin golat e kapitullimit për ekipin shkodran, që rregjistron humbjen e gjashtë në po kaq ndeshje të zhvilluara në kompeticionin e Champions League.

Megjithatë, synimi për të shënuar qoftë edhe një gol në këtë kompeticion u arrit, madje edhe ndaj kampioneve të Spanjës, Realit të Madridit, ku ky ekip nuk e kaloi grupin për në fazën tjetër të UEFA Women Champions League. Kështu që, edhe aventura e Vllaznisë në futboll për femra në këtë kompeticion mbyllet këtu, duke bërë një paraqitje dinjitoze, falë atij supergoli të Megi Doçit. /Maringlen ZHIVANI/

Real Madrid-Vllaznia 5-1

Goli për Vllazninë: Doçi 5’

Formacioni i Vllaznisë (4-2-3-1): Williams-Mosier, Popoviç (Vuksani 88’), Gjergji, Maliqi, Gjini, Lufo, Franja, Ramadani (Davidson 59’), Cavanaugh (Kodra 84’), Doçi, Shala (Bashka 46’-Boriçi 84’) (në dispozicion: Raxhimi, Rexhepi, Curraj, Saranoviç, Berisha, Panayiotou) Tr: Nikolin Leka