Vllaznia në basketboll për meshkuj po vijon të kalojë një situatë kritike. Mungesa e anës financiare ka ndikuar që nga ekipi kuqeblu të largohen basketbollistët titullarë, jo vetëm të huajt, por madje edhe shkodranët.

Në këto kushte, në fushën e lojës për skuadrën kuqeblu kanë qenë lojtarë 15-16 vjeçarë, të cilët e kanë të vështirë të përballojnë ekipet e tjera rivale. Realisht, pothuajse gjithmonë Vllaznia në basketboll është futur për objektiva madhorë, por ky sezon po shkon si mos më keq.

Dikur pallati i sportit “Qazim Dervishi” gumëzhinte nga brohoritjet e sportdashësve dhe nga duartrokitjet e tyre që mbushnin plot e përplot ato shkallë, ndërsa sot ato stola kanë mbetur pothuajse bosh, ku dëgjohet vetëm zhurma e topit.

Me gjithë investimet e fundit duke afruar basketbollistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sërish rezultatet ishin shumë larg pritshmërive për kuqeblutë. Sot basketbolli ka objektiv për të mbijetuar, për të mos rënë në Kategorinë e Parë. Tashmë, mbetet kohë e largët ajo kur dilnim të festonim fitoren së bashku me ato sportistë që dhanë gjithçka për fanellën kuqeblu.

Kështu, në Shkodër tashmë po bien fort këmbanat, teksa nga ëndrra e titullit kampion vitet e fundit, tashmë po shfaqen “fantazmat” e rënies nga kategoria, pasi nëse nuk ndërhyhet menjëherë në merkaton e janarit, në këto kushte rrezikohet seriozisht.

Shkodra jonë që sportin e ka fe dhe ai rrjedh në gjakun e çdo shkodrani, kalon edhe probleme nga më të ndryshmet dhe ndoshta për momentin situata te Vllaznia e basketbollit është për t’i qarë hallin dhe si mos më keq, pasi po rrezikohet seriozisht.
Maringlen ZHIVANI