Skuadra e Vllaznisë në futboll për femra, ka arritur të kualifikohet përsëri në fazën play-off të Ligës së Kampioneve. Skuadra kuqeblu ia ka dalë duke triumfuar në finalen e miniturneut që luhej sot në Mal të Zi, ndaj sllovakeve të Mijava.

Vllaznia kishte qenë me fat në short, duke evituar gjysmëfinalet e grupit të saj eliminator për të kaluar direkt në finale. Ndërkohë, Mijava kishte mundur vendaset e Breznicës me shifrat 3-2. Por në sfidën e sotme, vajzat shkodrane kanë dominuar plotësisht sfidën dhe kanë diktuar ritmin që në start.

Ndonëse sulmuan pareshtur portën kundërshtare, ata shënuan vetëm një herë, me anë të Shalës në fundin e pjesës së parë, ndërsa ekipi kundërshtar nuk regjistroi asnjë tentativë në portë gjatë 90 minutave të kësaj sfide që u mbyll me suksesin 1-0.

Tani Vllaznia pret shortin e play-off më 1 shtator, për të kuptuar se cilin do të ketë kundërshtar në turin tjetër të turneut mes skuadrave shumë të njohura. Nëse kalon play-off, që luhet me sistem vajtje-ardhje, do të regjistronte për herë të parë emrin e saj në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve për femra.