Shorti i turit të parë të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll për femra duhej të ishte hedhur në javën e parë të shtatorit por UEFA e ka shtyrë atë, si rrjedhojë e situatës së krijuar nga pandemia.
Po ashtu, institucioni i futbollit europian është duke studiuar mirë mënyrën si do të zhvillohet sivjet ky kompeticion, i diktuar nga kushtet e reja që janë krijuar në gjithë Botën.
Vllaznia si kampionia e Shqipërisë do të jetë pjesmarrëse në këtë edhe në edicionin e sivjetëm dhe në Shkodër janë duke e pritur me shumë interes hedhjen e shortit për të mësuar ekipet kundërshtare. Kjo ngaqë objektivi do të jetë sërish i njëjti, kualifikimi në turin e dytë dhe për këtë arsye, duhen studiuar edhe kundërshtarët.
Megjithatë, pavarësisht se shorti ende nuk është hedhur, presidenti Matija nuk ka qëndruar në vend. Prej kohësh ai është duke punuar për merkaton dhe deri më tani ka bërë realitet disa afrime në skuadër, por po punon edhe për të tjera.
Ashtu si dhe sezonin e kaluar, pritet që pjesë e Vllaznisë të jenë edhe futbolliste nga Amerika, ashtu siç do ketë edhe përforcime nga Kosova si dhe nga kampionati shqiptar.
Sakaq, ekipi ka vijuar përgatitjet dhe bashkë me to, do të nisin edhe ndeshjet miqësore që do ta ndihmojnë stafin teknik për konsolidimin sa më të mirë të formacionit. Miqësorja e parë do të luhet ndaj ekipet tjetër shkodran, atij të Juban Danjes, ndërkohë që në ditët në vijim do të ketë edhe miqësore të tjera.