Ekipi i basketbollit të femrave të Vllaznisë nuk është duke bërë një paraqitje të mirë në kampionat e kjo natyrisht që ka disa arsye. Ajo më kryesorja është mungesa e përgatitjes fizike por edhe e lidhjes së lojës të basketbollisteve të tij. Duket diçka e pakuptimtë për një ekip që ka katër javë që e ka nisur kampionatin por kur bisedon me pjestarët e tij, mëson më shumë. Në stërvitjen e pasdites të djeshme të këtij ekipi të pranishmekanë qenë vetëm pesë vajza, ndër të cilat vetëm dy janë titullare të formacionit bazë. Arsyen e kësaj mungese e shpjegon trajneri Rajmond Rasha në prononcimin e tij kur ka thënë:

“Në këto ndeshjet e fundit që kemi zhvilluar janë vënë re shenja të mungesës së përgatitjes fizike tek disa vajza të ekipit e kjo vjen ngaqë ata nuk stërviten rregullisht. Disa prej titullareve, në kohën kur kemi stërvitjen, janë në mësim sepse kanë studimet për master dhe kjo i penalizon me mungesën në stërvitje. Nuk kemi mundur dot të gjejmë një orar tjetër për stërvitje dhe kjo na ka krijuar jo pak probleme megjithatë nuk do të heqim dorë kollaj nga objektivi që kemi për të hyrë në katërshen e ekipeve më të mira”.
Orari i përcaktuar nga klubi për stërvitjen në pallatin e sportit nuk konsiderohet i favorshëm megjithatë nuk ka asnjë mundësi për ta ndryshuar. Një pjesë e vajzave janë studente dhe pikërisht në këtë orar ata nuk mund të jenë në stërvitje. Prandaj dhe trajneri e ka të vështirë të zhvillojë stërvitjen siç duhet. Edhe nëse do të bëjë një test loje për t’u përgatitur me kundërshtarin e rradhës, nuk ka se si ta bëjë me vetëm 5 vajzat që ka të pranishme në këto seanca. Skemat e Vllaznisë së femrave duket se mësohen dhe ushtrohen vetëm në ditën e ndeshjes dhe ky është një absurditet por edhe realitet. Por pavarëisht këtij problemi shumë të madh, objektivi i këtij ekipi në sezonin aktual është futja në katër ekipet më të mira dhe mund t’ia dalë, kuptohet duke u stërvitur më shumë.
Gjergj KOLA