Me ndeshjet e sotme janë mbyllur ndeshjet zyrtare për vitin 2018. Vllaznia e luajti takimin e fundit ndaj Veleçikut, takim të cilin e fitoi me rezultati 2-0 dhe bashkë me të kuqeblutë morën edhe titullin “kampion dimri” të grupit A të kategorisë së parë.

Kampionati do të rinisë më 2 shkurt të vitit të ardhshëm dhe kuqeblutë do të luajnë në Shijak ndaj Erzenit, një ndeshje që mund të përcaktojë shumë gjëra që kanë të bëjnë me të ardhmen.

Por përpara kësaj ndeshje, Vllaznia do të luajë një takim tjetër, atë të Kupës së Shqipërisë ndaj Kamzës. Skuadër që siç dihet tashmë drejtohet nga ish-trajneri i kuqebluve sezonin e kaluar- Ernest Gjoka.

Ky i fundit pas mënyrës si u largua nga Vllaznia dy javë para fundit të kampionatit, ka krijuar shumë “armiq” në Shkodër dhe rikthimi i tij në “Loro Boriçi” padyshim që pritet të mos jetë i qetë.

Gjithsesi ekipi që tashmë drejtohet nga Hasan Lika do të pretendojë fitoren dhe madje edhe kualifikimin për në çerekfinale të këtij kompeticioni.
© shkodrasport.com