Basketbollistët e Vllaznisë janë mundur pasditen e sotme brenda në Shkodër nga kundërshtari i tyre i gjysmëfinales së play off-it, Kamza Basket. Në fund të takimit të luajtur në “Qazim Dervishi” është fiksuar rezultati 82-75 për miqtë që e kanë merituar fitoren. Ato e kanë udhëhequr rezultatin nga sekonda e parë e deri në fund. Në fakt tek shkodranët pritej me interes kjo ndeshje ngaqë do të aktivizohej për herë të parë me to edhe amerikani i dytë i sapoardhur Anthony Booker por në fakt paraqitja e tij e parë ka qenë zhgënjyese. Ai jo vetëm që nuk ka treguar asgjë të mirë në lojë por edhe është dëmtuar në periodën e tretë dhe ka braktisur fushën. Kamza Basket ndërkohë duke luajtur më qetë, e mbylli periodën e parë 22-15 ndërsa në të dytën Vllaznia fiton 24-22 por gjithsesi miqtë shkojnë në pushim me 5 pikë avantazh. Pritej që në periodën e tretë gjërat të përmbyseshin por nuk do ndodhte kështu. Një 10 minutësh për t’u harruar ndërkohë që Kamza e fiton atë 22-11 dhe në rradhët e saj spikat shkodrani Robert Shestani që është edhe pikashënuesi më i mirë i ndeshjes. Këtu duket se ndeshja mbyllet por në fakt perioda e katërt do sillte shumë emocione. Shkodranët arrijnë të shënojnë deri në 12 pikë ndërsa kamzalinjtë asnjë dhe rezultati ngushtohet por vetëm kaq sepse gjërat përmbysen dhe Kamza do ta fitonte krejt ndeshjen 82-75. Vllaznia nga ana e saj shfaqi shumë probleme sidomos në lojën mbrojtëse dhe nëse nuk e rregullon atë, patjetër që do të ketë probleme në play- off.
© shkodrasport.com