Vllaznia e volejbollit të meshkujve më në fund i ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Në fakt kjo është bërë me shumë ditë vonesë, ndoshta edhe në pritje të ndonjë riorganizimi të ri të shoqatës apo firmosjes të kontratës së bashkëpunimit me Bashkinë Shkodër.

Megjithatë e rëndësishme është që puna tashmë ka nisur dhe skuadra ka nisur menjëherë punën për aktivitetin e parë kombëtar, Kupën e Federatës që do startojë më 8 shtator.

Nga ana tjetër, ekipi i Vllaznisë pasditen e djeshme ka zhvilluar edhe të parën ndeshje miqësore. Përballë tij ka qenë Erzeni dhe ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Kuptohet që diferencat kanë qenë në favor të ekipit shijakas i cili ka në përbërje më shumë volejbollistë cilësorë, ndërsa te Vllaznia është ndjerë mungesa e stërvitjes.

Si rrjedhojë, miqësorja është fituar me rezultatin 3-0 nga Erzni. Në ditët e ardhshme pritet edhe ndonjë miqësore tjetër në prag të ndeshjeve të para zyrtare të sezonit të ri./SHKODRA-SPORT.COM/