Skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj ka bërë një hap të gabuar në ndeshjen e zhvilluar pasditen e sotme në Durrës ndaj Erzenit. Ndonëse dy herë ka qenë në avantazh ndaj kësaj skuadre sërish nuk ka arritur ta ruajë atë dhe në fund është mundur 2-3.  Dy herë shkodranët kaluan në avantazh, por po dy herë u arritën nga shijakasit, që nuk hoqën dorë, duke bërë që emocionet dhe rivaliteti të ishin në kulm (dy sete u vendosën në shtesë). Mjaft i bukur edhe seti final, fituar 15-13 nga Erzeni, që në këtë mënyrë korr suksesin e 4-t sezonal dhe merr dy pikë, i lënë një pikë miqve nga Shkodra. Natyrisht që një humbje e tillë nuk pritej nga skuadra e drejtuar nga trajneri Kroqi megjithatë tashmë ky është një realitet. Kuqeblutë do ta mbyllin fazën e parë të kampionatit javën tjetër duke luajtur ndaj Elbasanit dhe sigurisht që do të kërkojnë fitoren për t’i bërë një mbyllje përgjithësisht të mirë fazës së parë të kampionatit në mënyrë që të kenë një ecuri krejt ndryshe në fazën e dytë të tij.

Erzeni – Vllaznia 3-2
(27-29, 25-23, 17-25, 29-27, 15-13)
Renditja: Partizani 21 pikë (7/0), Farka Volej 15 pikë (5/2), Studenti 14 pikë (5/2), Vllaznia 13 pikë (4/3), Tirana 12 pikë (4/3), Erzeni 12 pikë (4/3), Skënderbeu 6 pikë (2/6), Teuta 2 pikë (1/6), Elbasani 1 pikë (0/7).

© shkodrasport.com