Vllaznia në futboll për femra e ka nisur me fitore edicionin e sivjetëm të Ligës së Kampioneve. Ajo ka fituar me rezultatin 3-1 në përballjen me kampionen e Irlandës, në takimin e luajtur mesditën e sotme në Lituani. Takimi në fakt ka nisur më mirë për irlandezet të cilat kanë kaluar në avantazh në minutën e 18-të me anë të Kenedi.
Por avantazhi I tyre do të zgjaste vetëm 12 minuta sepse amerikania e Vllaznisë Dauzat do të barazonte shifrat. Kaq do mjaftonte që ekipi shkodran të merrte zemër dhe Brenda dy minutave do të shënonte edhe dy gola të tjerë. Të dytin me anë të amerikanes tjetër- Doyle në minutën e 40-të dhe më pas ka qenë e zakonshmja Megi Doçi që ka shënuar edhe të tretin.
Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 3-1 për kampionen e Shqipërisë. Në 45 minutat e dyta, Vllaznia administron rezultatin duke mos e vënë asnjëherë në dyshim fitoren dhe për rrjedhojë rezultati nuk do të ndryshonte më deri në vërshëllimën e arbitres nga Danimarka që ka drejtuar këtë takim.
Në këtë mënyrë, ekipi shkodran I ka bërë një nisjes të shkëlqyer edicionit të sivjetëm të Ligës së Kampioneve duke e fituar takimin e parë. Të dytin ajo do ta luajë pas tre ditësh me kampionen e Maltës, Birkirkara, që normalisht duhet ta fitojë.
Kjo do të thotë se gjithçka sa I takon kualifikimit për në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm do të vuloset në ndeshjen e tretë dhe të fundit, atë ndaj ekipit vendas Gintra.
www.shkodrasport.com