Vllaznia bën një tjetër hap të gabuar edhe në ndeshjen e dytë të luajtur në Shkodër për këtë kampionat. Pasi ka humbur në ndeshjen e parë me Teutën, pasditen e së enjtes ajo ka barazuar në shifrat 1-1 ndaj Flamurtarit në “Loro Boriçi”. Përballë një numri të vogël tifozësh, futbollistët kuqeblu kanë zhgënjyer sërish në rezultat.

Në minutën e 17-të pas një gabimi në vendosje të mbrojtësve vendas, sulmuesi Bushiç do të kalonte në avantazh vlonjatët. Vllaznia reagon dhe në minutën e 40-të Çinari i ka të gjitha mundësitë për të barazuar shifrat. Megjithatë në minutat shtesës të pjesës së parë, mbrojtësi Marku do të fitonte një 11-metërsh dhe atë do ta kthente në gol një tjetër mbrojtës nga pika e bardhë, pikërisht Olsi Gocaj. Në të dytën, megjithë përpjekjet e të dy ekipeve, nuk do kishte gol tjetër dhe kësisoj i gjithë takimi mbyllet në barazim. Për trajnerin e Vllaznisë Armando Cungu, ky rezultat është i papranueshëm sepse mundësitë ishin për ta fituar ndeshjen. Nga ana tjetër, edhe trajneri i Flamurtarit Duro shpreh keqardhjen që nuk u largua nga Shkodra me tre pikë megjithëse sipas tij edhe një pikë nuk është keq ndaj Vllaznisë. Java e gjashtë e Superligës do t’i luajë ndeshjet ditën e hënë dhe Vllaznia do të udhëtojë drejt Kamzës për t’u ndeshur me skuadrën vendase.
www.shkodrasport.com