Olsi Gocaj me një ekzekutim per fekt i ka dhënë Vllaznisë një barazim në takimin e së shtunës me Besëlidhjen. Pavarësisht se një përballje pa vlera për të dyja ekipet, sërish shkodranët kanë kërkuar që të kthehen sa më shpejt te rezultatet pozitive pas humbjes së marrë një javë më parë nga Dinamo.

Për këtë ka menduar lojtari që nuk di të gabojë nga pika e bardhë e penalltisë, Olsi Gocaj. Mbrojtësi që luan në disa pozicione të fushës, me sa duket do të jetë nga zëvendësuesit më të denjë të të madhit Ramazan Rragami në goditjet nga pika e bardhë. Vetë Gocaj në një prononcim për gazetën shprehet:

“Nuk ka rëndësi kush shënon, rëndësi për ne ka të arrijmë një rezultat pozitiv. Për mua sa herë që më ngarkohet të ekzekutoj penalltitë, mundohet që të jem sa më i qetë dhe të shënjestroj saktë.

Deri tani ia kam dalë. Ndërsa, dua të them se pika e marrë në Lezhë nuk ka shumë vlerë në këto momente pasi gjithçka e kemi zgjidhur prej javësh. Por, gjithsesi këto takime na ndihmojnë ne që të jemi në tonus për ndeshjen finale që do të luajmë ndaj Bylisit. Për mua mund të merrnim më shumë në këtë takim”, u shpreh fillimisht në prononcimin e tij mbrojtësi Gocaj.

FINALJA
Ka kohë që te Vllaznia po mendojnë për finalen e titullit kampion të Kategorisë së Parë. Pasi kanë arritur rikthimin në Superiore që disa javë më parë, kuqeblutë e quajnë një detyrim fitimin e këtij trofeu. Ata kërkojnë që t’i bëjnë një mbyllje sa më të mirë këtij sezoni në këtë kategori. “Jemi të kënaqur që arritëm të sigurojmë rikthimin në elitë disa javë para përfundimit të kampionatit.

Vllaznia
Kjo ishte detyra e shtëpisë që duhet bërë me patjetër. Tani pse të mos marrim edhe titullin e kësaj kategorie? Nuk është se ka ndonjë vlerë të madhe për ne si klub me histori të madhe, por tani këtu u ndodhëm dhe prej këtij sezoni shpresoj që të marrim më të mirën. Unë jam i bindur se me grupin që kemi në dispozicion, do t’ia dalim që ta fitojmë edhe këtë titull”, vijoi prononcimin e tij për gazetën, mbrojtësi i Vllaznisë, Olsi Gocaj.

E ARDHMJA
Nëse lojtarët e kanë mendjen te finalja e kampionatit, stafi teknik duket se ka filluar që të mendojë për të ardhmen. I pyetur se si e shikon të ardhmen e kësaj skuadre pas rikthimit në Superiore, mbrojtësi Olsi Gocaj deklaron: “Shpresoj që drejtuesit të bëjnë më të mirën e tyre për të formuar një skuadër të denjë për elitën.

Vllaznia
Shpresoj që të jemi më të fortë në të gjitha drejtimet sesa sezonet e fundit që ishim pjesë e saj. Boshti ekziston, por duhen edhe afrime cilësore”. Sipas kalendarit, Vllaznia këtë fundjavë është pushim, ndërsa do të luajë ndeshjen e fundit me Erzenin në Shkodër./panorama-sport/