Ka mbërritur ditët e fundit në Shkodër dhe nesër pritet të bëjë debutimin me Vllazninë blerja më e re, kinezja Yuen Ting Wai. Akordi dhe firma në kontratë me këtë lojtare kishin kohë që ishin hedhur, por situata e krijuar nga pandemia dhe mbyllja e kufinjve ka bërë që ajo të mos i bashkohej dot skuadrës së saj të re.
Por me t’u hapur kufinjtë, ajo ka marrë rrugën drejt Shqipërisë dhe prej pak ditësh është vënë në dispozicion të trajnerit Leka ndërkohë që pasditen e nesërme ajo pritet të luajë për disa minuta në sfidën ndaj “Juban Danjes”.
Wai është 27 vjeçe, luan si mesfushore organizatore, mban numrin 10 ne fanelle dhe ka kombësi kineze, por prej disa vitesh jeton në Hong- Kong, teksa ka marrë edhe pasaportën e këtij vendi dhe madje luan edhe me kombëtaren e tij.
Ndërkohë ka qenë pjesë e ekipit Citizen të Hong Kongut por pas ofertës së presidentit Lazer Matija, ajo ka pranuar të nisë një aventurë të re, për më tepër duke marrë pjesë edhe në Ligën e Kampioneve të Europës.
Në këtë mënyrë, gjeografia e futbollisteve që veshin fanellën e Vllaznisë kampione zgjerohet edhe më tej. Nëse vitin e kaluar, merkatoja u zhvillua me lojtare amerikane, tashmë drejtuesit kuqeblu e kanë nisur nga Hong Kongu.
www.shkodrasport.com