Skuadra shkodrane është mundur në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në Vlorë nga Flamurtari me rezultatin 0-1. Goli i Prognit në minutën e tretë të ndeshjes, u ka mjaftuar vlonjatëve të marrin tre pikët e fitores. Shkodranët nga ana e tyre kanë bërë një ndeshje të dobët, ndoshta në këtë mes kanë ndikuar edhe mungesat e shumta që kanë patur në rradhët e tyre.

Nuk kanë qenë të gatshëm për këtë ndeshje Sinani, Smajli, Popoviç, Nimani e Hasani dhe për rrjedhojë në fushë kanë luajtur edhe të rinjtë Tafa, Bardulla, Danaj etj. Goli i pësuar shpejt ka ndikuar tek Vllaznia. Në pësimin e këtij goli ka patur fajin e vet edhe portieri Vujadinoviç që vazhdon ta konfirmojë momentin e tij të keq në këtë fillim kampionati. Në pjesën e parë, shkodranët kanë patur një rast të mirë me anë të Tafës ndërkohë që në minutën e 13-të kanë goditur edhe traversën me anë të Sukajt. Në të dytën, është sërish Sukaj që humbet një rast të pastër me portën bosh pas një gabimi të portierit vendas Spaho ndërsa në minutën e 83-të Sykaj do dilte nga fusha me karton të kuq. Përfundimisht 1-0 për Flamurtarin, një humbje që rëndon pozitat e Vllaznisë e cila nuk po e justifikon aspak mbështetjen e drejtuesve të klubit dhe tifozëve të saj të zjarrtë.