Vllaznia në volejboll për meshkuj ka qenë shumë pranë finales në Kupën e Flamurit që është duke u organizuar nga Federata përkatëse me rastin e festave të nëntorit. Ajo është mundur me set final nga Tirana në një ndeshje që ka patur shumë emocione brenda . Ky takim është zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës në pallatin  e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe është ndjekur me mjaft interes nga të pranishmit. Këto dy ekipe ishin ndeshur edhe para 10 ditësh në Shkodër për kampionat ku Vllaznia fitoi pastër 3-0 por këtë herë ishte ndryshe.

Në fakt, volejbollistët shkodranë mund të kishin fituar edhe mbrëmë pasi ata e fituan setin e parë në shifrat 25 me 23 dhe po ashtu edhe të dytin 26 me 24. Me këtë avantazh u krijua bindja se ata do ta fitonin ndeshjen por nuk ka ndodhur kështu. Tirana e rrit dukshëm lojën e saj, fiton setin e tretë dhe të katërt me të njëjtin rezultat, 25 me 17 duke bërë që ndeshja të shkonte në set final. Në të pestin, do ishin sërish volejbollistët bardheblu që do fitonin 15 me 12 dhe krejt ndeshjen në shifrat 3 me 2 duke bërë që të jenë ata në finale ndaj Studentit. Vllaznia në këtë mënyrë për shumë pak gjë do të ishte ajo në finale por pavarësisht kësaj, ekipi ka treguar se edhe sivjet do të jetë në nivele të larta dhe konkurrent deri në fund për fitimin e trofeve.

© shkodrasport.com