Debutimi i trajnerit kroar Jeronimo Sarin në pankinën e Vllaznisë ka rezultuar me fitore. Në ndeshjen e pasdites së sotme, atë të luajtur në Kamëz ndaj skuadrës vendase, kuqeblutë kanë fituar me rezultatin e thellë 100-58. Epërsia e kuqebluve ka qenë e madhe që në fillim të ndeshjes. Që në 10 minutat e para u vërejt një dominim i shkodranëve që e fituan këtë periodë me shifrat 26-9. Edhe në të dytën, ata kanë shënuar po aq pikë-26, përballë 14 të vendasve dhe kësisoj në pushimin e ndeshjes, dy ekipet shkuan me një diferencë prej 29 pikësh në favor të Vllaznisë. Vetëm në periodën e tretë pati njëfarë rivaliteti dhe ajo do mbyllej 22-20 ndërsa në të fundit, sërish epërsia do shtohej dhe djemtë e drejtuar tashmë nga treshja e trajnerëve Sarin- Gjeçaj e Hallunaj dhe ajo do fitohej 26-15 duke e mbyllur krejt takimin në shifrat e thella 100-58. Tashmë Vllaznia do të bëhet gati për dy sfida shumë të rëndësishme, ato që do të zhvillojë njëra pas tjetrës në Shkodër, fillimisht javën e ardhshme me Teutën dhe më pas me Tiranën, ku objektivi padyshim që fitorja e tyre.